Pse Mimoza Kusari e fajëson Haradinajn e jo Thaçin për bllokadën rreth dialogut?

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka folur pas takimit të mbajtur sot me ftesë të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për të diskutuar rreth draft-rezolutës së hartuar ditë më parë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, raporton Gazeta Express.

Kusari-Lila ka thënë se nëse nuk arrihet pajtim për këtë çështje dhe situata vazhdon të mbetet e bllokuar atëherë zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme.

“Nëse nuk arrihet një konsensus me LDK dhe VV, zgjidhja janë zgjedhjet. Kosova është e bllokuar. Përgjegjësinë kryesore për gjendjen e krijuar në Kosovë është pozita”, ka thënë ajo para gazetarëve.

Kryetarja e Alternativës thotë që përgjegjësinë për ngecjen në dialogun me Serbinë e ka kryeministri Haradinaj, i cili është tërhequr nga kryesimi dhe e ka lënë dialogun në duar të Thaçit.

“Haradinaj është tërhequr nga kryesimi i dialogut, dhe presidenti pa një platformë e ka sjellë dialogun në këtë fazë. Unë i kam thënë Haradinajt se kjo situatë ka ardhur si pasojë e tërheqjes së tij nga kryesimi i dialogut duke i lënë me vetë dëshirë kryesimin Thaçit i cili pa një platformë dhe pa mandat e ka sjellë vendin në një situatë me panik, me rekomandime ku janë venë në tavolinë edhe diskutimet për ndryshime të kufijve apo shkëmbim të territoreve”, ka vazhduar ajo.

Kusari-Lila thotë se duhet një unitet i partive shqiptare, dhe se për këtë i ka kërkuar edhe Kadri Veselit që të diskutojë me dy partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, parti të cilat sot e kanë bojkotuar këtë takim.

“Alternativa e fundit është arritja e një konsensusi të partive shqiptare. Veselit i kam kërkuar që të bisedojë me VV’në dhe LDK-në, për gjetjen e një gjuhë të përbashkët”, ka përfunduar ajo./GazetaExpress/